Autor: Shejkh Rabij ibën Hadij ‘Umejr el-Medkhalij

Burimi: ‘Aunu el-Barij bi Bejani Sherhi es-Sunneti lil Imam el-Berbeharij, vëll. 1, fq. 423

 

 

Pyetje: Disa njerëz e ekzagjerojnë duke kërkuar që t’ua mbyllin gojën atyre që paralajmërojnë kundër bidatçinjve, duke thënë: “Kjo, është punë e dijetarëve.”

 

Përgjigje: Sidoqoftë, këta e kanë ekzagjeruar duke dashur ta heshtin nxënësin e dijes, madje e kanë ekzagjeruar shumë. Me këtë të folur, ata i frikësojnë të rinjtë dhe ua mbyllin gojët atyre, në mënyrë që t’i pengojnë nga thënia e të vërtetës kundrejt njerëzve të bidateve. Ata i kanë kaluan kufijtë në këto gjëra.

 

Në këtë kohë, ekzistojnë çështje delikate. Ti si nxënës dije, mos fol për këto pa pasur dituri. Nga ana tjetër, ka çështje që janë të qarta fare, siç është obligueshmëria e namazit, agjërimit, zekatit, haxhit, ndalimi i të kërkuarit ndihmë nga dikush tjetër veç Allahut, ndalimi i kërkimit të ndërmjetësimit nga të vdekurit, të gjitha këto janë çështje të qarta për të cilat flet dijetari dhe nxënësi i dijes. Nga ana tjetër, çështjet delikate që kanë nevojë për ixhtihad (hulumtim), këto u lihen dijetarëve. Ama që t’u lihet çdo gjë atyre, jo.

 

Ibën Bazi, ibën Uthejmini, Albani, etj. nga dijetarët e mëdhenj, nuk shkojnë nëpër Europë dhe Amerikë, porse mjaftohen me nxënësit e dijes që janë atje, të cilët flasin me aq sa dinë. Ndërsa për fatkeqësitë dhe problemet madhore, duhet patjetër që të pyeten dijetarët, duke i shfrytëzuar mjetet e disponueshme në këtë kohë.

 

Pra secili e përcjell atë që e di. Nëse pyetesh për çështje që i ke të paqarta, atëherë thuaj: Pasha Allahun, këtë çështje nuk e di; kjo ka nevojë për dijetarë që janë më të mëdhenj se unë; unë do të pyes për këtë. Ndërsa për sa i përket çështjeve të qarta, sqaroji ato, porse me një kusht: që të kesh dije për ato dhe për argumentet e tyre. Mos fol me injorancë. Edhe për çështje të ditura e të qarta, nëse nuk ke argumente, atëherë mos fol për to. Mirëpo, nëse çështjet janë të qarta dhe ke argumente për to, atëherë fol dhe sqaro.

 

Ka gjëra që dihen domosdoshmërisht në fe, për këto gjëra flasin nxënësit e dijes, siç është: kërkimi i ndihmës nga dikush tjetër veç Allahut, kjo është prej gjërave të ditura.

﴿وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّن يَدْعُو مِن دُونِ اللَّـهِ مَن لَّا يَسْتَجِيبُ لَهُ إِلَىٰ يَوْمِ الْقِيَامَةِ وَهُمْ عَن دُعَائِهِمْ غَافِلُونَ﴾

“Kush është më i devijuar se ai që pos Allahut i lutet dikujt tjetër që nuk i përgjigjet atij deri në Ditën e Kijametit, e ata (të cilëve u luten) janë të pavetëdijshëm ndaj lutjes së tyre?!” el-Ahkaf, 5

 

﴿وَلَا تَدْعُ مِن دُونِ اللَّـهِ مَا لَا يَنفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ﴾

“Dhe mos iu lut dikujt tjetër pos Allahut, që nuk të sjell as dobi e as dëm...” Junus, 106

Siç vazhdon ajeti.

 

Nëse ai ka argument, atëherë ai flet dhe sqaron. Nëse ai sheh një Shi’it (shija) ose Sufist duke bërë tauaf rreth varrit, kërkon ndihmë prej varrit, bën kurban për të, zotohet ndaj tij, a të thotë ai: unë heq dorë nga sqarimi i kësaj të kote dhe nga paralajmërimi kundër saj dhe do të pres derisa të vijnë dijetarët e mëdhenj që ta marrin përsipër këtë obligim?

 

Unë them: Nuk ka pikë dyshimi se këta duan që t’ua mbyllin gojën të rinjve selefij në veçanti, sepse njerëzit që e refuzojnë më së shumti të keqen dhe që përballen me të kotën janë të rinjtë selefij. A e kuptuat?

 

Këta janë politikanë që solidarizohen me Rrafiditë, Khauarixhët dhe me të gjithë bidatçinjtë e tjerë. Këta nuk duan që të paralajmërohet kundër parimeve të tyre, prandaj thonë: “Për këtë nuk flasin veçse dijetarët!,” “Edhe fëmijët do të flasin!,” “Edhe ai që nuk di të lexojë el-Fatihan do të flasë!”

 

Pra, ata i kalojnë kufijtë duke e prishur imazhin e të rinjve selefij. Kjo që bëjnë ata është: mbrojtje për bidatçinjtë, pengim nga rruga e Allahut, frikësim i të rinjve selefij të cilët janë aktivë në thirrjen për tek Allahu, duke urdhëruar për të mirë dhe duke ndaluar nga e keqja.

 

Prandaj, ne u themi të rinjve selefij: ju, o vëllezër, mos flisni pa dije. Për çështjet që i keni të qarta dhe për të cilat keni argument, flisni për to. Ndërsa për çështjet që i keni të paqarta, nuk u lejohet juve që të futeni në to. Këtë gjë ua themi atyre. Pastaj u themi: thirrni tek Allahu! Secili prej jush thërret me aq sa dije ka. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thotë:

بَلِّغُوا عَنِّي وَلَوْ آيَةً

Përcillni nga unë qoftë edhe një ajet.”

(E ka nxjerrë Buhariu në “Ehadithul Enbija” nr. i hadithit 3461, Ahmedi në “el-Musned” 2/159, Tirmidhiu në “el-Xham’i” 1/2699)

 

Përktheu: Muhamed Kallashi